“Holanda i shuan shpresat Shqipërisë për hapjen e negociatave”

 

Dhoma e Përfaqësuesve e Holandës ka kundërshtuar fuqishëm propozimin e Komisionit Europian për t’i dhënë Ballkanit Perëndimor një perspektivë të anëtarësimit në BE. Kështu raporton portali holandez FD.

“Thuajse të gjitha partitë besojnë se Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Bosnja dhe Kosova janë shumë larg,” thuhet në shkrim.

Kjo doli gjatë një debati parlamentar me kryeministrin Mark Rutte përpara Samitit të Sofjes.

E përveç Holandës, Francës dhe Gjermanisë, vende skeptike janë edhe Belgjika e Luksemburgu.

Deputetët holandezë thanë se Maqedonia e Shqipëria kanë probleme shumë të mëdha, veçanërisht me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Deputetët shtuan se BE duhet të mësojë nga gabimet e të shkuarës, për të mos bërë të njëjtën gjë si me Bullgarinë dhe Rumaninë.

Vetëm një parti e vogël, D66, ishte pro hapjes së negociatave, por edhe ajo ishte kundër një anëtarësimi të shpejtë.

Megjithatë sipas tyre, çelja e negociatave do të bëjë të mundur që qeveritë e rajonit të respektojnë më shumë parimet demokratike.

Kurse PVV e ekstremit të djathtë tha se nuk bëhet fjalë fare për zgjerim me “Shqipërinë islamike”.

Kryeministri Rutte nga ana e tij tha se ai kërkon që vendet kandidate të plotësojnë strikt kushtet përpara se të ndërmerret ndonjë hap tjetër. Rutte i premtoi parlamentit që të ndalojë pranimin e përshpejtuar në axhendën e Samitit të Sofjes.