“Keni kohë deri në Maj…” zbulohet urdhëri i prerë i Ramës për Shkodrën

Brenda muajit Maj 2019 duhet të përfundojë By Pass-i i Shkodres, rruga e Velipojës (pjesa e mbetur), qendra e integruar me një ndalesë “Adisa” tek konvikti “Safet Spahija” si dhe të kenë avancuar punimet për qendrën e Shirokës.

Këto janë 4 investimet kryesore të qeverisë Shqiptare për të cilat i është dhënë ultimatum firmave sëbashku me drejtoritë rajonale që i kanë në administrim, që të përmbyllin punimet. Burime të sigurta bëjnë me dije për Shkodranews, se kryeministri Edi Rama ka kërkuar për këtë angazhim të të gjithë faktoreve dhe sëbashku me koordinatorët politik për PS qarku Shkoder, që të mos ketë asnjë tolerim, apo neglizhencë në këtë drejtim.

“Duhet që ti kemi gati për fushatën elektorale këto vepra dhe cdo investim duhet përmendur përballë votuesve, për të nxjerrë në pah punën që ne kemi bërë, por edhe mosrealizimet e bashkisë Shkoder. Nuk duhet të kemi më tolerancë përballë asgjëje, pasi këto janë detaje të rëndësishme që na shërbejnë në fushatë për vota.

Ndaj bashkisë duhet nisur tashmë pa hezitim një fushatë propagandistike ku të nxirren në pah premtimet e pambajtura, punët e parealizuara dhe cdo dobësi e mundshme. Me drejtorët rajonal duhet punuar që të merren të dhënat për cdo punësim, investim apo realizime të tjera që në këto vite kanë përmbushur, të cilat do të na shërbejnë për fushatën.

Një detaj tjetër që nuk duhet harruar është që të punohet për të shkuar derë më derë, të kontaktohen të pakënaqurit, të mund të bëjmë sa më shumë qytetar për vete” mësohet të kenë qënë disa nga porositë që u janë lënë anëtarësisë së PS Shkoder, bëjnë me dije burime nga selia rozë.

Të njëjtat zëra saktësojnë se përsa i përket investimeve është kërkuar madje që nese është nevoja për të rritur presionin e firmave që punojnë në terren, të thirren ministrat e linjës për të kryer inspektime në terren, si dhe të raportohet për cdo gjë me koordinatorët kombëtar të PS.

Duket se gjithë kjo vemendje e shtuar që kërkon PS në Shkoder, e bën të qartë edhe objektivin që Edi Rama ka ndaj strukturave këtu, që pas 28 vitesh të bëjnë ndryshimin dhe të thyejnë mitin që Shkodra është bastion i PD-së. Por se sa do të jetë e realizueshme kjo përballë pakënaqësive në rritje që ka ndaj qeverisë së tij dhe drejtorive rajonale dhe strukturave që ka në Shkoder, kjo mbetet për tu parë! Një gjë është e sigurtë që Shkodra do të ketë më shumë vemendje në këto zgjedhje, e fushata mund të sjellë surpriza./ShkodraNews