Ndodhi ajo që pritej në Velipojë! Në hotelet 100 euro nata po flenë vetë pronarët

Me qindra biznese në plazhin e Velipojës këtë sezon turistik kanë një ankesë të madhe. Asnjë prej tyre nuk është duke punuar ashtu si një vit më parë apo si vitet e kaluara. Shqetësimi tek pronarët duke nisur nga hotelet dhe deri tek një dyqan i thjeshtë i vogël është i madh për shkak se nuk gjirojnë aspak si më përpara. Shumë prej tyre ankohen për një numër shumë më të ulët pushuesish qoftë kosovar, nga Shqipëria apo edhe turistë të huaj. Është e pakuptimtë për këta subjekte se çfarë ndodh por ata e ndjejnë tek fuqia blerëse dhe lëvizja e njerëzve e cila sipas tyre është thuajse e përgjysmuar krahasuar me një vit më parë. Kjo fare thjeshtë sipas tyre shihet edhe tek shezlonget në plazhin e Velipojës. Ankesa nuk është vetëm për ditët e javës por edhe në fundjavë duke nisur nga e premtja, të shtunën dhe të dielën po ashtu nuk ka një fluks të lëvizjes si vitet e kaluara.

Megjithatë disa prej tyre janë të ndërgjegjshëm dhe deri diku kanë arritur që ta kuptojë arsyen. Nëse ka një hov që Velipoja ka njohur një rritje të pushuesve është pikërisht për shkak të atyre që shkojnë nga Kosova. Duke parë këtë dyndje që nisi rreth 7-8 vite më parë, subjektet kryesisht hotelet dhe lokalet rritën në mënyrë drastike çmimet e tyre. Sot është e vështirë të gjesh një natë nën 50 euro në hotelet e Velipojës. Çmimet shkojnë deri në 110 euro për një natë.

Nëse i krahasojmë me vende si Kroacia, Turqia apo Greqia janë të përafërta por ka një ndryshim të madh sepse në Velipojë përveç rërës kurative dhe plazhit me hapësirë të gjërë nuk të ofron asgjë tjetër. Shërbimet e tjera janë zero sepse institucionet nuk kanë bërë asnjë lloj lëvizje për t’i përmirësuar gjërat. Tashmë duke parë çmimet super të fryra dhe mungesën e çdo shërbimi të mundshëm kjo gradualisht ka nisur që të japë efektet e veta negative. Kështu këtë vit është ndjerë më shumë se kurrë qoftë çmimet e kripura të hoteleve që ofrojnë vetëm fjetjen për 60-70 euro apo edhe për mungesën totale të shërbimeve.

Nis që nga rruga që po rikonstruktohet që nuk ka ndriçim por as sinjalistike. Ka probleme herë pas here me energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm. Brenda Velipojës në rrugica mungon ndriçimi dhe asfaltimi i rrugëve. Ndotja është e madhe pothuajse në gjithë plazhin ashtu siç nuk ka asnjë lloj atraktiviteti për të mos folur pastaj për hapësirat publike që mungojnë apo edhe vrojtuesit si dhe shërbimin e cunguar të ambulancës pse jo në disa raste edhe të policisë. Pa të gjitha këto të vendosësh një çmim aq të lartë normalisht që pushuesit, kushdo qoftë nisin të mos vijn më në Velipojë dhe të zgjedhin plazhe të tjera me kushte shumë më të mira e pse jo ndoshta me çmime edhe më të lira.

Nëse këtë vit ka një përgjysmim, vitet e tjera duke parë këtë trend rrezikon që të ketë sërish rënie të konsiderueshme të pushuesve. Kjo është një këmbanë alarmi qoftë për subjektet në Velipojë por edhe për institucionet duke nisur nga bashkia Shkodër dhe çdo insitucion tjetër. Por si gjithmonë këmbanat bien për ata që kanë veshë./ShkodraNews