Pas protestës, policia merr hak. Nuk pyet as për minorenë e as për femra

Policia me sa duket është hakmarrë pas protestës së sotme tek parlamenti. Kjo pasi ka arrestuar 11 qytetarë pas protestës së banorëve të Unazës së Re. Personat e arrestuarit janë nga mosha 17 vjeç deri në 53 vjeç, mes tyre është edhe një femër.

“Policia e Tiranës pas përshkallëzimit të protestës përballë godinës së sallave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, protestë e cila u përshkallëzua në akte dhune ku për pasojë u plagosën 12 punonjës policie, mes tyre dy në gjendje më të rëndë, si dhe u lënduan lehtë 3 protestues, informon se:
Shërbimet e Policisë Tiranë kanë shoqëruar 11 shtetas. Nga tërësia e veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët për hetimin e krimit, nën drejtimin e Prokurorisë u bë arrestimi në flagrancë i tyre dhe konkretisht: – Alban Ahmetcenaj, 36 vjeç; – P. A., 17 vjeç; – Fluturim Goleci, 30 vjeç; – Rruzhdi Daci, 53 vjeç; – Marsel Villari, 28 vjeç; – Erjona Dozhani, 30 vjeç; – Lulzim Dozhani, 45 vjeç;
– Dorjan Protoduari, 30 vjeç (i shpallur më parë në kërkim nga Kom. Pol. nr.6, për veprën penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”);
– Ali Nalic, 35 vjeç; – Amarildo Sinanaj, 30 vjeç; – Shpati Bilbili, 31 vjeç.

Arrestimi i tyre u bë për veprat penale ‘Plagosje e rëndë me dashje’, ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme’, ‘Prishje e rendit dhe qetësisë publike’ si dhe ‘Goditja për shkak të detyrës'”, deklaron Policia e Tiranës.

Po nuk mbaron me kaq, pasi policia deklaron se vijon puna për identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë, të cilët gjatë protestës kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë, si dhe kanë nxitur protestuesit për veprime të dhunshme.

“Policia e Shtetit u bën thirrje protestuesve dhe përfaqësueve politikë për distancim nga dhuna dhe nga goditjet ndaj punonjësve të rendit.
Policia e Shtetit është e vendosur për të mos toleruar akte të tilla dhune ndaj punonjësve të Policisë si dhe për të mos lejuar më bllokimin e rrugës, duke penguar qarkullimin e lirë të qyetarëve dhe të automjeteve”, deklaron policia.