PD Shkodër “mpreh shpatën për situatën”, ja si po përfitojnë nga protesta madhështore e studentëve

Studentët kanë qënë të qartë në qendrimet e tyre se nuk e duan politikën tu përfshihet në kauzën që kanë ngritur, e për këtë arsye edhe i kanë mbajtur larg tubimeve që kanë zhvilluar prej 16 ditësh. Por sic ndodh rëndom në Shqipëri, politika kërkon gjithmonë të përfitojë prej të tilla situatave, e këtë radhë nën “argumentin” mbështetes, ajo që po përpiqet të marrë përfitime është opozita.

Partia Demokratike me aleatët kanë vendosur që të enjten të dalin në proteste përpara kuvendit në mbështetje të të rinjve, me synimin e vetëm që të mund të “rrisin” ndonjë kredo politike, pas krizës së madhe që i ka përfshirë.

E ndërsa qytetarët dhe degët në rrethe i fton në shesh, Lulzim Basha me deputetët do të hyjnë në kuvend që të shpëtojnë mandatet, pasi janë më të “embla” paratë, sesa hallet e Shqipërisë, e qytetareve të saj. Kryetari i partisë demokratike të Shkodres Xhevdet Amuli që këtë 20 dhjetor, e ka sfidën e tij të parë që pas marrjes së detyrës, në organizimin e një marshimi drejt Tiranës, ka zgjedhur që përmes një statusi në rrjetin social facebook, ti ftoj të gjithë në protestë në mbështetje të studenteve.

Por Amuli sic duket nuk i ka ndjekur këto ditë studentët që jo vetëm nuk e duan përfshirjen dhe mbështetjen e politikes, por aq më pak do të pranojnë hyrjen e opozitës në turmë, kur kjo e fundit e kishte në duar mbrojtjen e tyre për ta rrëzuar këtë ligj dhe i bëri zero oponencë. Ai shkruan:
“Ne jemi me studentët!

Partia Demokratike, e lindur si partia e të rinjve, e studentëve dhe e të gjithë shqiptarëve pa dallim, mbështet me bindje dhe pa asnjë dyshim vlerat e demokracisë. Jemi ne, që fjalën e lirë e sollëm si gjënë më të shtrenjtë të individit. Jemi ne, që i dolëm ballazi diktaturës më të egër të Europës në atë dhjetor të largët të vitit ’90.

Sot Shqipëria, përmes zërit të studentëve na thërret sërish, për t’i dalë përballë një diktature të re, diktaturës së krimit të organizuar, që udhëhiqet nga Edi Rama, i cili me ligësinë më të madhe, po tenton të realizojë projektin e tij për pushtet absolut. Të dashur miq, demokratë e demokrate, shqiptarë të ndershëm, sot më shumë se kurrë na thërret historia.Partia Demokratike, dega Shkodër nesër do t’i bashkohet protestës së drejtë të studentëve, për mos t’i lënë ata vetëm në përballjen me klikën politike më të egër të njohur në këto 28 vite demokraci. Unë do t’jem aty, për të ardhmen e fëmijëve të mi, për të ardhmen e fëmijëve të të gjithë shqiptarëve. Eja edhe ti!”

Por se sa do të duan të vijnë qytetarët dhe studentët kjo mbetet për tu parë, pasi gjasat janë që tubimi i neserm jo vetëm të ketë tensione dhe debate, por studentët do të kërkojnë me forcë që opozita tu rrijë larg që të mos përfitojë nga revolta e tyre, që është jo vetëm kundër qeverisë Rama, por të gjithë klasës politike. E mes valës së ftesave në rrjetet sociale nuk ka munguar as deputetja Izmira Ulqinaku që shkruan: Nesër, dt.20 Dhjetor, ora 10:00, para Parlamentit, të gjitha shtresat e shoqërisë që Qeveria i ka dhunuar, i ka mohuar dhe nëpërkëmbur të drejtat do të protestojnë.

Aty do jenë studentët, artistët, intelektualët, fermerët, biznesi i vogël, të papunët, banorë që u prishen shtëpitë pa shpërblim, që u rrëmbehet prona. Eja edhe ti në protestë! Të gjithë bashkë ia dalim!
E ftesa e Ulqinakut nuk dihet se sa duhet të merret e sinqertë për sa kohë ajo fton qytetarët në shesh, e për vete me koleget do të jetë në kuvend duke mbrojtur mandatin, rrogat milionëshe dhe “të mirat” që sjell mandati i një deputeti. Sepse asnjë prej tyre nuk janë të gatshëm të sakrifikohen për popullin, por prej tij duan të përfitojnë sa më shumë, qoftë në pushtet e qoftë në opozitë!/ShkodraNews