Pd Shkoder në amulli, të gjithë kërkojnë pushtet por asnjëri nuk harron si ja “futi” të gjithëve Ramiz Çobaj 4 vite më parë

Janë më të përçarë se asnjëherë dhe situata brenda radhëve të selisë blu në Shkoder zien. Edhe pse një pjesë e tyre i janë përkushtuar pushimeve të verës, e të tjerë po i planifikojnë, ka shumë prej tyre që paralelisht po përgatisin edhe skenarin e zgjedhjeve të vjeshtës.

Në shtator sipas ndryshimit më të fundit, demokratët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj të degeve lokale. Proçes ky që në Shkoder pritet me interes të lartë, pasi shumë nga anëtarësia dukshëm janë të pakënaqur me mënyrën se si deri më sot është drejtuar kjo seli, e të tjerë synojnë të marrin frenat në duar për të menaxhuar proçeset pasuese, siç janë zgjedhjet vendore, që nga përcaktimi i kandidatit për kryetar partie, e deri tek drejtimi lokal, e për të shkuar tek sfida e madhe e listave të kandidateve për deputet e kështu me radhë.

Por cila është fryma që përcillet sot në degen më të madhe të PD-së, pas Tiranës? Grupimet janë ndarë, mes të vjetërve dhe të rinjve, si dhe mes deputeteve që duan të shtrijnë influencën, aq sa munden në një zonë “gjysëm të minuar” politikisht.

I pari i listës Gurakuqi, po tenton të shtrijë më së shumti influencën e tij, në zonat e ish deputetes Jozefina Topalli, siç është rajoni nr 5, këtu i ndihmuar nga disa këshilltar bashkiak. Lorenc Luka nga ana tjetër ka rajonin 3 dhe zonën e Gurit të Zi, aty ku pati përqëndrimin më të madh edhe në fushatën elektorale për deputet. Bardh Spahia në rajonin 4, edhe ky një rajon që fuqishëm ka mbështetur Jozefina Topallin, e ku njihen mbështetesit e saj. Ndersa Izmira Ulqinaku ne rajonin 2. Secili po tenton të tregojë forcën, por gjithashtu edhe të shtrijë veprimin me anëtaërt e kryesisë, ata që kanë në duar “çelesin” e suksesit të zgjedhjeve të brendshme.

Përvoja e katër viteve më parë për shumë prej tyre ka qënë e hidhur, kur Ramiz Çobaj ju a mori lojën nga duart, aq sa u cilësua fitorja e tij si një rrufe në qiell të hapur, pasi të gjithë lobonin për Bardh Spahinë. Sot kësaj duan ti ruhen dhe natyrisht Voltana Ademi synon të mos mbesë jashtë loje, edhe pse mbledhjet e partisë po i shpërfill e nga ana tjetër nuk po tregohet aspak bashkëpunuese me të zgjedhurit e saj.

Në gjithë këtë lojë, e çoroditura e madhe është baza, që sa vjen dhe largohet pasi po kupton që partia demokratike nuk synon të mbështese interesat e shumicës, por po kthehet në klane individuale, që duan të përfitojnë vetëm pushtet për veten. Kjo amulli nuk po reflektohet as nga kryetari i madh Basha, që partinë e ka zhytur në kaos më të madh, e ku radhët e saj në vend që të vijnë duke u shtuar, për fat të keq po pakësohen, duke bërë që opozita përherë e më shumë të humb terren! Shtatori është muaji i vendimeve të mëdha e duket se nga kjo “valle” e nisur, do të ketë shumë “valltarë” që do të humbin ritmin rrugës!/ShkodraNews