Vota e demokratëve “djeg” plotësisht Ademin! Humb edhe krahu i djathtë i saj, nënkryetari i bashkisë Dritan Meta

Demokratet e Shkodres i japin përcëllimin final Voltana Ademit në garën për kryetar të grupseksioneve në PD.

I djeguri i radhës, është as më shumë dhe as më pak, por numri dy i bashkisë, nënkryetari Dritan Meta, i cili ka qënë edhe një nga figurat e mbështetura më fort prej Ademit. Pas balotazhit të parë 24 – 24, në votimet e dyta, anëtaret e partisë demokratike i bënë një dush të ftohtë Metës dhe benjaminës së tij Ademit, pasi numri dy i bashkisë nuk shkoi më shumë se 17 vota, ndërsa rivali i tij në këtë garë që doli edhe fitues, Arban Lutfija mori 37 vota.

Qartazi ky është një leksion i pastër që selia blu i jep kryetares së bashkisë, pasi një rezultat i tillë ndaj numrit dy të institucionit më të rëndësishëm në Shkoder, lë të kuptohet shumëçka. Së pari kjo tregon se asnjë anëtar i PD nuk është i kënaqur me punën e bashkisë dhe aq më shumë me të zgjedhurit e Ademit, që në këto 3 vite janë sjellë si bajraktar të gjithçkaje, duke vepruar sipas kokës së tyre dhe orekseve personale, sikur ta kishin trashëguar bashkinë dhe jo si të zgjedhur për të shërbyer. Së dyti ata i dhanë një votë kundër figurave që nuk janë ndjerë për Shkodrën, por kanë luajtur rolin e personave në hije, që veprimet i kanë kryer pa rënë në sy, duke lënë në jo pak raste dyshime për mënyrën se si veprohej në drejtimin e qytetit.

Së treti vota e demokrateve është një revoltë e brendshme për t’i dhënë një leksion edhe Lulzim Bashës që emrat të cilët kanë mbështetjen e Ademit, apo deputeteve të caktuar nga lista e tij, nuk janë të preferuarit e shumicës. Ata mund të diktojnë deri në një pikë gjërat që ndodhin, por jo aq sa për të “kapur” selinë blu, e cila edhe këtë herë u distancua haptazi nga pushteti vendor, që në 3 vite keqdrejtoi Shkodrën dhe e zhyti në ujera të turbullta që do të jenë kosto e madhe dhe e padiskutueshme për zgjedhjet e 2019-es. Me këtë konfigurim të ri, kriza të forta kanë mbërthyer Ademin që e pret përpara një dimër i acartë dhe i vështirë, që i prishi të gjitha planet e saj për të kapur partinë e për të diktuar ajo rregullat e lojës, ndërsa synonte një mandat të dytë për bashkinë.

Forcën ja treguan votat, që as të besuarin e saj, pikërisht krahun e djathtë nuk ja zgjodhën në një post të rëndësishëm, megjithese presione me vendin e punës, telefonatat dhe të fortit nuk i munguan, por s’i bënë punë as këtë herë! /Shkodranews/